Mesfushori i Kosovës, Leon Avdullahu, është shndërruar shpejt në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Hoffenheimit, duke lënë gjurmë që në sezonin e tij të parë në Bundesligë.
Me paraqitjet e tij, 22-vjeçari ka ngritur nivelin e lojës personale, por edhe të skuadrës, e cila po lufton fort për ta siguruar një vend në garat evropiane – madje duke e mbajtur gjallë edhe ëndrrën për Ligën e Kampionëve.
Në një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të Bundesligës, Avdullahu ka treguar se ndihet i përshtatur maksimalisht në klub dhe se synimi i tij është të arrijë nivelin e lojtarëve që luajnë në Ligën e Kampionëve.
“Ndihem shumë rehat këtu. Hoffenheimi më duket si një familje. Kushtet janë ideale që unë të vazhdoj të zhvillohem, të luaj në Evropë sezonin e ardhshëm dhe të vazhdoj të paraqitem në këtë nivel”, ka thënë Avdullahu.
Hoffenheimi ka një histori të kufizuar në Evropë. Për herë të parë ka luajtur në garat evropiane në edicionin 2017/18, ndërsa në fazën grupore të Ligës së Kampionëve është paraqitur vetëm një herë, në sezonin 2018/19.
Klubi ka luajtur edhe në Ligën e Evropës në edicionin 2020/21 dhe 2024/25, ndërsa tashmë e ka siguruar daljen në Evropë edhe për edicionin 2026/27 – për herë të pestë në histori. Hoffenheimi e ka siguruar Ligën e Evropës, por ende e synon Ligën e Kampionëve.
“E dimë që duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Nuk është më në dorën tonë të sigurojmë një vend në katër vendet e para, kështu që duhet të shpresojmë për rezultate diku tjetër. Fokusi ynë është thjesht të fitojmë ndeshjen tjetër dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, është shprehur Avdullahu.
Hoffenheimi fundjavën e kaluar kishte shansin të bënte një hap të madh drejt Ligës së Kampionëve, por barazimi 3-3 në shtëpi ndaj Stuttgartit ia prishi planet për një shkëputje të rëndësishme. Aktualisht, skuadra është në vendin e gjashtë me 58 pikë, sa kanë edhe Stuttgarti në vendin e pestë dhe Bayer Leverkuseni në vendin e katërt.
“Është shumë e vështirë për t’u pranuar, ndihet si një humbje. Mendoj se, deri në kartonin e kuq, ishte një paraqitje shumë e mirë nga ana jonë – me intensitet të lartë, e mirë me dhe pa top. Megjithatë, pas kartonit të kuq, u bëmë shumë të pakujdesshëm, shumë mbrojtës dhe jo mjaftueshëm klinikë në sulm”.
“Nuk i shfrytëzuam mirë avantazhet tona numerike dhe në fund merituam të pësonim gol. Bëmë analizën dhe pamë përsëri se nga minuta e shtatë e tutje, nuk ishte një katastrofë, duhej të kishim qenë 4-1 ose 5-1 për ne dhe ta mbyllnim ndeshjen”, ka shtuar ai.
Deri në fund të edicionit aktual në Bundesligë kanë mbetur edhe dy ndeshje. Hoffenheimi e pret Werder Bremenin në fundjavë, ndërsa në javën e fundit udhëton te Borussia Mönchengladbach.
Avdullahu ka treguar se që në fillim e kishte ndier se klubi kishte një projekt të qartë dhe se objektivi personal ishte ta ndihmonte Hoffenheimin të kualifikohej në Evropë.
“E dija që klubi kishte një plan dhe donte një fillim të ri me lojtarë të rinj. Qëllimi im ishte të kualifikohesha për në Evropë me Hoffenheimin. Në fillim, askush nuk më besonte vërtet, por në fund ia dolëm. Ndjeva që në javët e para të stërvitjes se diçka ishte e mundur. Cilësia ishte aty dhe për mua ishte e qartë se me këtë skuadër mund të kualifikoheshim për në Evropë”, thotë Avdullahu.
Mesfushori i Kosovës ka folur edhe për bashkëlojtarët dhe ndikimin e tyre, përfshirë Albian Hajdarin dhe sulmuesin tjetër të Kosovës, Fisnik Asllanin, i cili po ashtu ka kontribuar në suksesin e skuadrës.
“E njoh Hajdarin prej kohësh, që nga ditët tona të rinisë në Basel. Madje kemi shkuar në shkollë së bashku dhe familjet tona e njohin njëra-tjetrën, kështu që është shumë mirë që ai është këtu”, ka shtuar Avdullahu.
Në fund, Avdullahu tregoi edhe se cilët lojtarë i ka pasur si model, duke veçuar legjendën e Barcelonës dhe kapitenin e Zvicrës.
“Modeli im është Sergio Busquets. Granit Xhaka gjithashtu. Kam marrë shembull lidershipin dhe qetësinë e tij. Brenda dhe jashtë fushës, ai është një lider”, ka thënë Avdullahu. /Telegrafi/