Modelja e njohur britanike Cara Delevingne ka bërë një deklaratë që ka nxitur shumë reagime, teksa ishte e ftuar në skenë gjatë koncertit të këngëtares spanjolle Rosalía në O2 Arena në Londër.
Delevingne u shfaq në kuadër të një segmenti të koncertit të quajtur “confessional”, ku Rosalía fton të ftuar të famshëm të ndajnë “sekrete” apo rrëfime personale para publikut. Përpara mijëra njerëzve, Cara foli hapur për seksualitetin e saj, duke u shprehur: “Nëse nuk e keni kuptuar deri tani, unë jam lezbike”.
Në të njëjtin moment, modelja bëri edhe një koment provokues lidhur me marrëdhëniet, duke thënë se, sipas saj, shumë burra “nuk dinin t’i kënaqnin mjaftueshëm të dashurat e tyre”, prandaj “këtë e bënte ajo”. “Gjithashtu mendoj se burrat nuk dinin t’i kënaqnin sa duhet të dashurat e tyre, kështu që e bëja unë në vend të tyre”, tha Delevingne, deklaratë që u shoqërua me reagime të forta nga publiku.
Ajo foli edhe më gjerë për mënyrën si e sheh orientimin seksual, duke thënë se beson se askush nuk është “100 për qind heteroseksual”, ndërsa përmendi se dikur “dobësia” e saj kishin qenë gratë heteroseksuale, të cilat, sipas saj, në fakt nuk ishin krejtësisht të tilla.
Në rrëfimin e saj, Delevingne foli edhe për jetën personale, duke treguar se është në një lidhje serioze prej katër vitesh me këngëtaren Minke (34). Ajo tha se partnerja e saj e ka ndihmuar të qëndrojë e kthjellët dhe të ndihet më e qetë me veten. Modelja pranoi se në të kaluarën kishte prirje të donte të ishte dominante dhe të kishte kontroll, por sot thotë se është më e gatshme të lejojë veten të marrë dashuri dhe të hapet emocionalisht.
Deklaratat e saj në O2 Arena u pritën me brohoritje nga një pjesë e publikut, ndërsa në rrjete sociale dhe në komentet e mediave, reagimet kanë qenë të ndryshme – nga mbështetja deri te kritikat për mënyrën e të shprehurit. /Telegrafi/