Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nënë Tereza” në Klinë ka njoftuar se kanë nisur renovimet në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) dhe Ambulantat e Mjekësisë Familjare (AMF) në territorin e Komunës së Klinës.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, sot kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS), Agron Bacaj, si dhe drejtori i QKMF-së, Prof. Ass. Dr. Gazmend Bojaj, kanë vizituar dhe inspektuar vazhdimin e punimeve në AMF Cerovik, ku po realizohet renovim i plotë.
“Sot Kryetari i Komunës se Klinës Prof Dr Zenun Elezaj dhe Drejtori i DSHMS zt. Agron Bacaj së bashku me Drejtorin e QKMF-së Prof Ass Dr Gazmend Bojaj vizituan dhe inspektuan vazhdimin e punëve në AMF-Cerovik – renovimi komplet”, thuhet në njoftim.
QKMF “Nënë Tereza” ka falënderuar Komunën e Klinës dhe DSHMS-në për, siç është thënë, renovimet e nevojshme në objektet shëndetësore.
“Falënderojmë Komunën e Klinës dhe DSHMS për këto renovime shumë të nevojshme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është bërë e ditur se punimet do të vazhdojnë me ritëm të shpejtë edhe në disa njësi të tjera shëndetësore, përfshirë AMF Gllarevë, QMF Sferkë dhe QMF Ujmirë.
Në njoftim theksohet se qëllimi i këtyre investimeve është afrimi i shërbimeve shëndetësore sa më afër qytetarëve, përmes kushteve më të mira infrastrukturore dhe shërbimeve cilësore. /Telegrafi/