Rreth 40 studentë të Akademia e Sigurisë në Tiranë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e këtij institucioni.
Sipas informacioneve paraprake, menjëherë pas drekës të së mërkurës studentët kanë shfaqur shqetësime shëndetësore, ku disa prej tyre kanë pasur komplikacione më të rënda dhe janë dërguar për trajtim në spital.
Dyshohet se shkak është bërë ushqimi i konsumuar pasi Akademia e Sigurisë e siguron shërbimin ushqimor përmes një kompanie private kateringu.
Kursantët kanë shfaqur simptoma si të vjella dhe diarre, ndërsa rreth 10 ambulanca kanë mbërritur të mërkurën pasdite në Akademi për t’i transportuar ata drejt spitalit, pas përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore.
Nga burime thuhet se kursantët e Akademisë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me cilësinë e ushqimit që u ofrohet.
Gjendja e studentëve të prekur raportohet se është nën kontroll, dhe të gjithë janë larguar nga spitali pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa hetimet vijojnë. /Euronews.al/