Shqipëria ka zhvilluar provën e parë për Eurovision 2026, ndërsa tashmë janë publikuar edhe fotografitë e para nga skena, të cilat kanë nxitur interes të madh te fansat.
Faqja zyrtare e Eurovisionit, në përshkrimin e saj për performancën shqiptare, thekson se paraqitja ndërthuret me grafika alternative që shërbejnë si element rrëfimtar. Në sfond shfaqen pamje që lidhen me “nënat” dhe pritjen e tyre, si një lloj bisede simbolike ku u jepet siguri se “gjithçka do të shkojë mirë” dhe se “kështu janë gjërat tani”. Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë transmetimit të performancës së Alisit, përkthimi në anglisht i tekstit të këngës do të shfaqet me titra në ekran, një praktikë që ishte përdorur edhe më herët në Eurovision, si rasti i Italisë në Bazel 2025.
Në pjesën tjetër të përshkrimit, Eurovisioni e quan këngën një rrëfim “malli dhe humbjeje”, ndaj edhe skenografia është menduar në këtë frymë: Alisi shfaqet si një figurë misterioze në një skenë të errët, duke e nisur performancën në gjunjë, përpara se të ngrihet mes reve të tymit. Ai është i veshur me të zeza dhe bie në sy një detaj në veshje – një element me gurë shkëlqyes – ndërsa pas tij shfaqet, përmes grafikave, një kast i madh figurash.
Foto: EBU / Corinne Cumming
Sipas përshkrimit, në vizualet e prapaskenës shfaqet një “turmë grash”, ku disa prej tyre mbajnë edhe veshje tradicionale shqiptare, duke simbolizuar “nënat e Shqipërisë” që presin djemtë të kthehen në shtëpi.
Megjithatë, pas publikimit të materialit, është vërejtur edhe një pasaktësi në formulimin e përshkrimit, pasi Shqipëria përfaqësohet nga një këngëtar i vetëm – Alisi. Personat e tjerë që shihen në skenë mund të jenë pjesë e backvokaleve ose elemente vizuale të integruara në performancë, por jo një grup këngëtarësh që këndojnë së bashku në rolin kryesor.
Foto: EBU / Corinne Cumming
Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu se ka edhe elemente të tjera në performancë që e pasurojnë rrëfimin, por për momentin do të mbeten “mister”, duke lënë të kuptohet se në netët live publiku do të shohë edhe detaje shtesë.
Sa i përket datave, Eurovision 2026 mbahet me dy gjysmëfinale dhe finalen e madhe: Gjysemfinalja e parë më 12 maj 2026, gjysmëfinalja e dytë më 14 maj 2026, ndërsa finalja më 16 maj 2026. /Telegrafi/