Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se po vazhdon inspektimet në tregun e produkteve të qumështit me përmbajtje bimore dhe shtazore, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Sipas njoftimit, gjatë inspektimeve të realizuara sot, të mërkurën (06.05.2026), janë kryer gjithsej shtatë kontrolle në katër qytete të ndryshme të Kosovës.
“Gjatë inspektimeve të realizuara gjatë ditës së sotme (e mërkure, 06.05.2026) janë kryer gjithsej 7 kontrolle në 4 qytete të ndryshme të Kosovës”, thuhet në njoftim.
MINTI bën të ditur se të gjitha rastet e trajtuara janë vendosur në procedurë të mëtejshme administrative, në përputhje me gjetjet e evidentuara gjatë kontrolleve.
“Të gjitha rastet e trajtuara janë vendosur në procedurë të mëtejshme administrative, në përputhje me gjetjet e evidentuara gjatë kontrollit”, thuhet më tej.
Sipas ministrisë, inspektimet janë pjesë e angazhimeve institucionale për rritjen e transparencës në treg dhe garantimin që konsumatorët të kenë informacion të saktë për produktet që shiten.
“Këto inspektime janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme institucionale për garantimin e transparencës në treg dhe sigurimin që konsumatorët të kenë informacion të saktë lidhur me produktet që vendosen në treg”, thuhet në njoftim.
MINTI ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi të mundshme, duke dërguar edhe prova, përmes numrit +383 (0) 46 311-000 (Viber) ose përmes emailit konsumatori@rks-gov.net.