Në kuadër të një procesi hetimor që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke e zhvilluar lidhur me shpronësimet e kundërligjshme, të mërkurën më 6 maj është zhvilluar një operacion policor në Prishtinë, Lipjan dhe Vushtrri.
Sipas një njoftimi thuhet se si rezultat i këtij operacioni të koordinuar mes Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, janë arrestuar shtatë persona.
“V.G dhe N.R për veprën penale ‘Dhënia e ryshfetit’, H.M., Sh.S dhe H.M., për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’. N.K për veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’, dhe A.P, për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale – Dhënia e ryshfetit dhe Marrja e ryshfetit’ “, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, janë sekuestruar pajisje teknologjike, para të gatshme në vlerë prej 6,450 eurosh, dhe dokumentacion i ndryshëm.
Lidhur me të njëjtin rast, në dhjetor të vitit të kaluar janë arrestuar edhe shtatë (7) persona të tjerë.
Linku i komunikatës: https://ps.prokuroria-rks.org/artikulli/8079