Prishtina e Re ka shënuar një fitore të madhe ndaj Prishtinës me rezultat 3-2, ndonëse ishte në disavantazh 0-2. Kjo ndeshje i takoi javës së 33-të të Superligës së Kosovës.
Pjesa e parë prodhoi raste, por goli erdhi vetëm në fund, në kohën shtesë. Pas një prekjeje të topit me dorë, gjyqtari akordoi penallti, të cilën Leotrim Kryeziu e shndërroi në gol për 0-1.
Prishtina e nisi mirë edhe pjesën e dytë dhe shënoi golin e dytë, kur Dren Zeqiri asistoi te Ardian Muja, i cili realizoi për 0-2.
Megjithatë, pas disa minutash erdhi reagimi i Prishtinës së Re: Ibrahim Kargbo shënoi nga afërsia për 1-2, duke rikthyer ndeshjen në lojë.
Situata u komplikua më pas për Prishtinën, pasi Arjol Bllaca, i futur në lojë në minutën e 58-të, u ndëshkua me karton të kuq vetëm 13 minuta më vonë.
Me një lojtar më shumë, Prishtina e Re rriti presionin dhe barazoi nga pika e bardhë. Nedim Mekić shënoi për 2-2, duke e ndezur edhe më shumë sfidën.
Përmbysja u kompletua në minutën e 77-të, kur sërish Ibrahim Kargbo realizoi për 3-2, duke i siguruar Prishtinës së Re tri pikë shumë të rëndësishme.
Pas kësaj ndeshjeje, Prishtina mbetet në vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Prishtina e Re vazhdon në fund të tabelës me 31 pikë, duke ruajtur ende shpresat për mbijetesë. /Telegrafi/