Real Madridi po e shqyrton seriozisht mundësinë që të ndahet me Vinicius Jr gjatë afatit të ardhshëm kalimtar veror. Mungesa e një marrëveshjeje për rinovimin e kontratës, e cila skadon në vitin 2027, ka tensionuar raportet në zyrat e Valdebebas.
Klubi madrilen nuk është i gatshëm ta rrezikojë strukturën e pagave me kërkesën prej 30 milionë eurosh në vit që, sipas raportimeve, e ka paraqitur ylli brazilian. Përtej aspektit financiar, ekziston edhe një problem i dukshëm taktik: bashkëjetesa e vështirë në fushë me Kylian Mbappen.
Përballë kësaj dileme, Florentino Perez thuhet se e ka kthyer vëmendjen nga “xhevahiri” i madh i Serie A, Kenan Yildiz, për ta udhëhequr ciklin e ri të ekipit.
Reprezentuesi turk ka shkëlqyer te Juventusi nën drejtimin e Luciano Spallettit, duke u afirmuar si një sulmues i kompletuar, i aftë të mbajë peshën e një stemë legjendare. Me sezonin 2026/27 në horizont, drejtuesit e “Los Blancos” po kërkojnë një rinovim të thellë pas një sezoni zhgënjyes, të mbyllur pa trofe.
Real Madridi, sipas të njëjtave burime, ka marrë raporte shumë pozitive për paraqitjet e sulmuesit të ri turk, i cili në moshën 21-vjeçare tashmë është shndërruar në figurë kryesore në Torino.
Interesimi i Perezit nuk është i rastësishëm, pasi ai e sheh turkun si lojtarin ideal për ta balancuar një repart ofensiv që ka nevojë për freski. Presidenti beson se shkathtësia e Yildizit përshtatet në mënyrë të përpiktë me planifikimin sportiv që i duhet klubit për ta rikthyer hegjemoninë e humbur.
Megjithatë, në Madrid e dinë se një ofertë rreth 100 milionë eurosh mund ta lëkundë vendosmërinë e drejtuesve italianë.
Performancat e sulmuesit turk këtë sezon me 11 gola dhe 10 asistime, e arsyeton një investim të tillë, që do të mund të trondiste themelet e tregut./Telegrafi/