Telegrafi po zgjeron praninë edhe në Zvicër, duke hapur një kapitull të ri në raport me njërin prej komuniteteve më të mëdha dhe më aktive shqiptare në Evropë. Ky hap u zyrtarizua në Cyrih, me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Telegrafit dhe Plan B Creative, në prani të CEO-së së Telegrafit, Gentian Lluka, CEO-së së Plan B Creative, Ridvan Murati, si dhe gazetarit dhe publicistit të njohur shqiptar në Zvicër, Enver Robelli.
Në këtë projekt, Enver Robelli do të ketë rol të rëndësishëm si autor dhe konsulent në zhvillimin e përmbajtjes, duke kontribuar me përvojën e tij të gjatë në gazetari dhe me njohjen e thellë të realitetit të diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.
Përmes këtij partneriteti, Telegrafi synon të jetë më afër lexuesve shqiptarë që jetojnë në Zvicër, duke krijuar më shumë hapësirë për lajme, rrëfime dhe zhvillime që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre të përditshme. Synimi është që lexuesit të mos e shohin Telegrafin vetëm si një medium nga vendlindja, por edhe si një platformë që i përfaqëson dhe i lidh me realitetin ku jetojnë, nga jeta sociale dhe integrimi, te arsimi, kultura, sporti dhe historitë personale e profesionale.
CEO i Telegrafit, Gentian Lluka, e cilësoi këtë hap si vazhdim të një synimi të kahershëm për përfshirjen më të madhe të diasporës në përmbajtjen e platformës. Ai theksoi se audienca shqiptare në Zvicër ka qenë gjithmonë e rëndësishme për Telegrafin, por tani kjo qasje po merr formë më të strukturuar dhe më të afërt me komunitetin.
CEO i Telegrafi.com, Gentian Lluka
“Synimi ynë është t’i sjellim komunitetit shqiptar në Zvicër vlerë, informacion dhe rrëfime që lidhen me jetën e tyre”, u shpreh Lluka, duke shtuar se diaspora është pjesë e identitetit të vetë medias dhe një urë lidhëse mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Nga ana tjetër, Ridvan Murati nga Plan B Creative theksoi se bashkëpunimi vjen si përgjigje ndaj një nevoje konkrete për përmbajtje më të afërt me realitetin e shqiptarëve në Zvicër. Sipas tij, komuniteti shqiptar atje është shumë aktiv dhe i lidhur me vendlindjen, por ka nevojë për më shumë hapësirë mediale që reflekton jetën e përditshme në vendin ku jeton.
“Shqiptarët në Zvicër kanë nevojë të lexojnë jo vetëm për Kosovën, por edhe për temat që lidhen drejtpërdrejt me përditshmërinë e tyre këtu”, tha Murati, duke shtuar se ky projekt synon të afrojë më shumë median me komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë.
Gazetari dhe publicisti Enver Robelli vlerësoi këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt një pasqyrimi më të plotë të diasporës në media.
“Pasqyra e diasporës në Kosovë ende nuk është e plotë. Mungojnë shumë rrëfime nga diaspora. Në Zvicër jetojnë mijëra njerëz që flasin shqip dhe secili prej tyre ka një rrëfim të vetin.”
Robelli theksoi se diaspora nuk duhet të shihet vetëm përmes storieve të suksesshme, por edhe përmes sfidave reale me të cilat përballet.
“Diaspora ka shumë rrëfime suksesi, por ka edhe probleme dhe sfida që duhen trajtuar. Ka tema që lidhen me integrimin, me gjuhën shqipe, me brezat e rinj, me lidhjen me vendlindjen dhe me jetën e përditshme në Zvicër. Këto janë tema që meritojnë vëmendje serioze.”
Enver Robelli, gazetar dhe publicist
Ai shtoi se informimi cilësor mund të ndihmojë në ndërtimin e një lidhjeje më të shëndetshme mes diasporës dhe atdheut.
“Sa më shumë që diaspora ka lidhje të shëndosha me atdheun, aq më i mirë është edhe integrimi i njerëzve këtu. Prandaj mendoj se ky projekt mund të japë impulse të reja për trajtimin e temave të diasporës.” u shpreh ai.
Çfarë pritet të sjellë Telegrafi në Zvicër?
Prania e Telegrafit në Zvicër do të fokusohet në përmbajtje që lidhet drejtpërdrejt me jetën e shqiptarëve atje, përfshirë lajme nga komuniteti, rrëfime njerëzore, histori suksesi, tema sociale dhe kulturore, si dhe zhvillime që kanë ndikim në përditshmërinë e diasporës.
Po ashtu, vëmendje do t’u kushtohet edhe ngjarjeve të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke përfshirë evente kulturore, ekonomike, sportive e shoqërore.Në këtë drejtim, roli i Enver Robellit synon të ndihmojë që përmbajtja të mos mbetet vetëm në nivel raportimi të ngjarjeve, por të shkojë edhe drejt analizës, kontekstit dhe rrëfimeve që japin kuptim më të gjerë për realitetin e shqiptarëve në Zvicër.
Telegrafi është një nga platformat më të mëdha mediale në gjuhën shqipe, me audiencë të gjerë dhe ekosistem online gjithëpërfshirës, ndërsa Plan B është agjenci marketingu me bazë në Zvicër, ideatore dhe bashkëorganizatore e shumë ngjarjeve kulturore, si Shqip Up Festival, si dhe e projekteve të tjera artistike e kulturore, përfshirë shfaqje teatrale në bashkëpunim Zvicër-Kosovë, seriale, filma të gjatë dhe të shkurtër, dhe iniciativa të tjera që lidhen me kulturën dhe komunitetin shqiptar.
Telegrafi dhe Plan B tashmë e kanë zyrtarizuar dhe nënshkruar këtë projekt, i cili do të quhet “Edicioni i Mërgatës”.
Zyret gjenden në Zürich, në adresën: Lerzenstrasse 10, 8953 Dietikon.
Email: info@planbcreative.ch Tel: +41 78 935 44 02
Për sugjerime editoriale, lajme nga komuniteti, rrëfime personale, ngjarje apo tema që lidhen me diasporën shqiptare në Zvicër, lexuesit mund të shkruajnë në: mergata@telegrafi.com.
Nenshkrimi i marrveshjes