Singapori ka miratuar udhëzime të reja që parashohin ndëshkime më të rrepta për nxënësit që ushtrojnë bullizëm, përfshirë edhe rastet e ngacmimit në internet.
Sipas rregullave të reja, në raste të rënda mund të aplikohet edhe rrahja me shkop, si masë e fundit disiplinore.
Vendimi u diskutua në parlament dhe vjen pas një rishikimi njëvjeçar të politikave kundër bullizmit, i nxitur nga disa raste që tërhoqën vëmendje të madhe publike gjatë vitit të kaluar. Autoritetet synojnë të forcojnë disiplinën dhe të rrisin sigurinë në shkolla.
Ministri i Arsimit, Desmond Lee, theksoi se ndëshkimi fizik do të përdoret vetëm kur të gjitha masat e tjera rezultojnë të pamjaftueshme, raporton theguardian.
Ai nënvizoi se shkollat do të ndjekin procedura të rrepta dhe se çdo rast do të shqyrtohet me kujdes para se të merret vendimi për një dënim të tillë.
Sipas udhëzimeve, ndëshkimi me rrahje do të zbatohet vetëm për djemtë mbi moshën nëntë vjeç, ndërsa për vajzat do të aplikohen masa të tjera disiplinore si pezullimi, mbajtja pas orarit mësimor dhe ulja e notës në sjellje.
Autoritetet theksojnë se pas çdo ndëshkimi, nxënësit do të ndiqen nga afër për mirëqenien dhe përparimin e tyre, duke u ofruar edhe mbështetje këshilluese për të parandaluar përsëritjen e sjelljeve problematike.
Megjithatë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve kundërshtojnë këtë qasje, duke paralajmëruar se ndëshkimi fizik mund të ketë pasoja negative për shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve. Sipas të dhënave globale, ndëshkimi fizik mbetet një praktikë e përhapur, pavarësisht kritikave në rritje. /Telegrafi/