Ndalimet e telefonave inteligjentë në klasa mund të mos jenë “zgjidhja magjike” që qeveritë dhe administratat shkollore shpresonin, sipas një studimi të publikuar së fundmi.
Sipas The New York Times, Byroja Kombëtare për Kërkime Ekonomike pritet të publikojë një studim që arrin në përfundimin se ndalimet e telefonave celularë kanë pasur një efekt “afër zeros” në rezultatet e testeve.
Studimi analizoi të dhëna nga më shumë se 40 mijë shkolla në periudhën 2019–2026 dhe tregoi se fillimisht pati një rritje të përkohshme të incidenteve disiplinore dhe një rënie afatshkurtër të mirëqenies së nxënësve, për shkak të ndryshimeve të menjëhershme. Megjithatë, në vitet në vijim mirëqenia u përmirësua, ndërsa masat disiplinore ranë në plan afatgjatë.
Pavarësisht kësaj, ndikimi në rezultatet e testeve ishte shumë i vogël ose pothuajse inekzistent. Studiuesit gjithashtu gjetën pak prova se ndalimi kishte efekt në frekuentimin e shkollës, përqendrimin në klasë apo në perceptimin e bullizmit online.
Studimi thekson se mund të ketë efekte afatgjata që ende nuk janë vërejtur, pasi analizat kanë përfshirë vetëm periudha deri në tre vjet pas vendosjes së ndalimit.
Një studim tjetër nga Mbretëria e Bashkuar gjithashtu tregoi se ndalimet e telefonave nuk kanë ndikuar ndjeshëm në kohën totale të kaluar para ekranit apo në mirëqenien e nxënësve.
Megjithatë, shumë vende kanë vendosur ndalime të tilla në shkolla, përfshirë Francën dhe Korenë e Jugut, të cilat kanë futur kufizime të reja për përdorimin e telefonave nga nxënësit. /Telegrafi/