Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm të godasë rëndë ekonominë e Iranit, duke thënë se do ta bënte këtë “sepse dua të fitoj”.
Gjatë një takimi me gazetarë, ndërsa në dhomë ndodheshin edhe fëmijë, ai u pyet për luftën dhe situatën ekonomike në Iran.
Duke folur për ekonominë e Teheranit, 79-vjeçari tha se “shpresoj që ajo të dështojë”, duke vlerësuar njëkohësisht sanksionet amerikane ndaj vendit si “të jashtëzakonshme” dhe “shumë të mira”.
Më pas lideri amerikan pretendoi se “,onedha e tyre nuk vlen asgjë. Inflacioni i tyre është ndoshta 150 për qind… ata nuk po i paguajnë ushtarët e tyre. Nuk mund t’i paguajnë ushtarët. Paratë nuk kanë vlerë”, raporton skynews.
Edhe pse disa nga deklaratat e Trumpit nuk janë plotësisht të sakta, ato pasqyrojnë disa prej vështirësive ekonomike në Iran, ku prej kohësh ka probleme serioze dhe shqetësime për rënien e vlerës së rialit.
Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit ka deklaruar se inflacioni në fund të marsit ishte pak nën 54 për qind.
Në fillim të vitit në Iran pati edhe protesta për kushtet ekonomike, të cilat u shtypën ashpër nga qeveria, duke shkaktuar mijëra viktima.
Trump gjithashtu tha se kishte pritur që çmimi i naftës të arrinte deri në 300 dollarë për fuçi, ndërsa deri tani ka arritur kulmin rreth 126 dollarë.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje armëpushimi pa afat të caktuar. /Telegrafi/