Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar Ushtarak, në një hap që synon forcimin e mëtejmë të kapaciteteve të sigurisë.
Sipas tij, marrëveshja është arritur gjatë një takimi me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler.
“Sot, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, z. Yaşar Güler, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai theksoi se kjo marrëveshje dëshmon nivelin e lartë të partneritetit ndërmjet dy vendeve.
“Marrëveshja përfaqëson një dëshmi të qartë të partneritetit tonë strategjik dhe të gatishmërisë së përbashkët për ta forcuar më tej bashkëpunimin në mënyrë konkrete dhe afatgjate”, u shpreh ai.
Sipas Maqedoncit, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Turqia do të ofrojë mbështetje financiare të konsiderueshme për Kosovën.
“Në këtë kuadër, Qeveria e Republikës së Turqisë do të mbështesë Qeverinë e Republikës së Kosovës me 200,000,000.00 TL (dyqind milionë lira turke), me qëllim fuqizimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe avancimin e mëtejshëm të saj institucional e profesional”, ka theksuar ai.
Në fund, ai shtoi se ky bashkëpunim synon të kontribuojë në stabilitet dhe paqe.
“Ky bashkëpunim reflekton qartë nivelin e lartë të marrëdhënieve tona dhe vullnetin e përbashkët për t’i çuar ato edhe më tej në shërbim të paqes dhe stabilitetit”, përfundoi Maqedonci./Telegrafi/