Tharja e kundërt është teknikë e thjeshtë që u jep flokëve të hollë më shumë vëllim, lëvizje dhe freski, pa pasur nevojë të shkoni te parukieri
Në një moment, flokët thjesht fillojnë të “bien”, e humbin plotësinë që dikur kishin dhe gjithnjë e më shpesh duken pa jetë, sado që përpiqeni t’i rregulloni.
Pikërisht këtu hyn në lojë një truk i vogël, që në shikim të parë duket shumë i thjeshtë, por bën dallim të dukshëm sapo ta shihni veten në pasqyrë.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturën tharje të kundërt, një teknikë që nuk kërkon as shumë aftësi, as shumë kohë, ndërsa jep efektin sikur sapo keni dalë nga salloni.
Ndryshimi i vogël që ia ndërron pamjen gjithë frizurës
Ndryshe nga tharja klasike, ku majat e flokëve kthehen nga brenda, këtu bëhet e kundërta: majat kthehen lehtë nga jashtë.
Duket si detaj i vogël, por pikërisht ky veprim u jep flokëve më shumë lëvizje dhe i bën të duken vizualisht më të dendur.
Flokët nuk bien drejt e përgjatë fytyrës, por marrin dinamikë dhe “jetë”, gjë që e ndryshon menjëherë përshtypjen e përgjithshme të frizurës.
Thelbi është te pamja natyrale. Fillimisht flokët thahen pa furçë, vetëm me gishta, në mënyrë që ta ruajnë teksturën e lehtë dhe të lirshme. Vetëm në fund merren tufat dhe kthehen lehtë vetëm majat, gjithmonë nga jashtë.
Ky kontrast mes gjatësisë paksa të shkujdesur dhe majave të formësuara krijon më shumë vëllim, pa i bërë flokët të duken të ngurtë ose tepër të rregulluar, transmeton Telegrafi.
Më së miri duket te gjatësia mesatare
Kjo teknikë del veçanërisht bukur në flokë me gjatësi mesatare, sidomos te modeli bob. Në këtë gjatësi lëvizja vërehet më shumë, ndërsa flokët marrin pamje më moderne dhe më të çlirët.
Si ta bëni në shtëpi
Nuk ju duhet shumë kohë dhe as shumë mjete.
- Lani flokët dhe thani lehtë me peshqir.
- Ndani flokët sipas vijës që mbani zakonisht dhe nisni tharjen pa furçë, duke përdorur vetëm gishtat.
- Kur flokët të jenë pothuajse të tharë, merrni tufa të vogla dhe ktheni vetëm majat nga jashtë.
- Drejtojeni tharësen te majat, ndërsa pjesën tjetër të flokëve lëreni sa më natyrale.
- Sipas dëshirës, shtoni pak shkumë për vëllim ose ngrini lehtë flokët te rrënja.
- Në fund mund të përdorni pak llak, por pa e tepruar. Qëllimi është që flokët të mbeten të lehtë dhe të lëvizshëm.
Pse gratë po e zgjedhin gjithnjë e më shpesh këtë truk
Tharja e kundërt nuk jep vetëm vëllim. Ajo i zbut tiparet e fytyrës dhe krijon atë pamje më të freskët e më të lehtë, që shpesh mungon kur flokët e humbin dendësinë.
Pjesa më e mirë është se gjithçka zgjat rreth dhjetë minuta, ndërsa efekti duket sikur keni bërë shumë më tepër përpjekje.
Për të gjitha ato që duan t’u kthejnë flokëve të hollë pak më shumë jetë, pa trajtime të ndërlikuara, ky është një nga ato truke që mësohet shpejt dhe bëhet edhe më shpejt pjesë e rutinës. /Telegrafi/