Në prag të zhvillimeve të rëndësishme politike dhe zgjedhjeve të 7 qershorit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një mbledhje të kryesisë, ku në fokus janë strategjia partiake dhe mundësia e bashkimit të spektrit të djathtë.
Anëtarja e kryesisë, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se takimi me kryetarët e degëve po trajton çështje të ndryshme partiake dhe strategjike, duke përfshirë edhe diskutimet për një bashkim më të gjerë politik.
“Mbledhje me kryetarë të degëve për të diskutuar për aktualitetin politik dhe për gjithçka që lidhet me këtë. Janë çështje partiake që do t’i shqyrtojmë,” tha ajo.
Sipas saj, pjesë e diskutimeve është edhe rikthimi i mundshëm i Vjosa Osmani në LDK, si dhe ideja për bashkimin e së djathtës, të cilën e konsideron të domosdoshme për vendin.
“Në këtë kuptim diskutojmë edhe për ardhjen eventuale të Vjosës dhe për bashkimin e madh të së djathtës që e kemi diskutuar prej kohësh,” u shpreh Lushaku-Sadriu.
E pyetur se sa do ta dëmtojë bashkimin e së djathtës koalicioni në nivel lokal me PDK-së ajo tha se këto çështje janë të ndara.
“Çështjet komunale janë të ndara prej çështjeve qendrore. Temë diskutimi sot do të kemi rrugën përpara dhe bashkimin e së djathtës në nivelin qendror”, tha ajo.
Nga ana tjetër, anëtari i kryesisë, Lutfi Haziri, theksoi se qëllimi kryesor i mbledhjes është përgatitja për zgjedhjet e 7 qershorit dhe mobilizimi i strukturave partiake.
“Mbledhja ka të bëjë me zgjedhjet e 7 qershorit, në funksion të mobilizimit dhe bashkimit,” tha Haziri.
LDK ka bërë të ditur se qëndrimet zyrtare tashmë janë publikuar, ndërsa diskutimet aktuale janë të përqendruara në strategjinë për nivelin qendror dhe rrugën përpara të partisë. /Telegrafi/