Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër zyrtare udhëheqësve të Bashkimit Evropian, duke kërkuar dërgimin e Misionit Vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026.
Në letrën drejtuar Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e pranisë së vëzhguesve ndërkombëtarë në këtë proces zgjedhor.
Ajo ka bërë të ditur se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe se vlerëson se përfshirja e një misioni të pavarur të Bashkimit Evropian do të kontribuonte në transparencën dhe besueshmërinë e procesit.
“Prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor,” thuhet në qëndrimin e saj.
Sipas saj, kjo kërkesë është në përputhje me praktikën e deritanishme të Kosovës dhe me angazhimin e institucioneve për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Kosova ka ftuar edhe në të kaluarën misione të ngjashme vëzhguese të Bashkimit Evropian, me qëllim forcimin e standardeve zgjedhore dhe monitorimin ndërkombëtar të proceseve demokratike. /Telegrafi/