Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka vizituar fermerët në Pejë, ku është njohur nga afër me zhvillimin e aktiviteteve bujqësore dhe sfidat me të cilat përballen ata.
Gjatë vizitës në zonën e Lugut të Baranit, ai takoi kultivues dhe fermerë të sektorit të qumështit, të cilët i njoftoi për programet mbështetëse dhe politikat zhvillimore të ministrisë për vitin 2026.
Muja bëri të ditur se është nënshkruar vendimi për Kornizat Buxhetore të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2026, me një vlerë prej rreth 77.5 milionë euro, duke theksuar se synimi është rritja e prodhimit vendor dhe modernizimi i sektorit.
“Përmes këtyre programeve synojmë mbështetjen e fermerëve, rritjen e prodhimit vendor dhe modernizimin e sektorit. Bujqit do të vazhdojnë të paguhen për hektarë apo krerë në nivele të njëjta si vitet paraprake, pa ulje të mbështetjes, ndërsa parashihen rritje të targetuara për sipërfaqet e mbjella me pemë dhe perime”, ka thënë Muja.
Ai shtoi se do të ketë edhe mbështetje shtesë për fermat e vogla, përmes pagesave për hektarët e parë, me qëllim fuqizimin e tyre.
Ministri në detyrë foli edhe për masat e ndërmarra në sektorin e qumështit, duke theksuar se ato synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbështetjen e prodhuesve vendorë.
“Kam ndërmarrë një paketë masash në sektorin e qumështit, të cilat janë në interes të mbrojtjes së konsumatorit, garantimit të cilësisë dhe mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe ekonomive familjare”, deklaroi ai.
Muja theksoi se institucionet mbeten të përkushtuara për të mbështetur fermerët përmes politikave konkrete dhe investimeve të qëndrueshme, ndërsa fermerët e rajonit e falënderuan për vizitën dhe për masat në mbështetje të bujqësisë. /Telegrafi/