Për herë të parë pas një kohe të gjatë, Arsenali u duk sërish si në ditët e tij më të mira në fitoren 3-0 ndaj Fulhamit të shtunën – dhe bashkë me të edhe Bukayo Saka.
Dominimi në “Emirates” nuk ishte rastësi, rikthimi i plotë i anglezit i dha skuadrës së Mikel Artetës atë burim kreativiteti dhe rreziku që i kishte munguar javët e fundit.
Saka zhvilloi startin e parë që nga mesi i marsit, pasi kishte vuajtur nga një problem në tendin e Akilit, dhe në 45 minutat e para tregoi pse Arsenali kishte hasur vështirësi pa të, ndërsa synon trofeun e parë madhor që nga viti 2020.
Paraqitja e anglezit, tregon edhe te shënimi i golave
Paraqitja e tij në pjesën e parë ishte vendimtare dhe dha sinjale se e ka lënë pas dëmtimin që e kishte kufizuar.
Arsenali nuk kishte fituar me dy apo më shumë gola diferencë që nga triumfi 2-0 ndaj Bayer Leverkusenit në Ligën e Kampionëve në mars.
Në javët e fundit “Topçinjtë” kishin pasur luhatje – vetëm dy fitore në gjashtë ndeshjet e fundit – por rikthimi i Sakas në formë rrit ndjeshëm shpresat për fundin e sezonit.
“Sigurisht që bëri diferencën. Ai bëri dy veprime që e vendosën ndeshjen. Është kthyer në periudhën më të rëndësishme të sezonit, tani është i freskët fizikisht e mendërisht dhe me uri maksimale. Një paraqitje e tillë ishte platformë e madhe për të martën”, deklaroi Atreta, duke iu referuar gjysmëfinales së kthimit ndaj Atletico Madridit, ku rezultati i ndeshjes së parë është i barabartë.
Shenja pozitive edhe me Gyökeres
Një tjetër lajm i mirë për Arsenalin ishte se Saka dhe sulmuesi Viktor Gyökeres duket se më në fund po gjejnë “kiminë” e duhur. Saka asistoi për golin e parë të suedezit kundër Fulhamit, ndërsa të dy u dukën në të njëjtën gjatësi vale në aksionet e pjesës së parë.
Gyokeres u shpreh optimist për ndikimin e Sakas: “Kur ai është në atë formë, është e mrekullueshme për mua dhe për të gjithë. Është shumë e rëndësishme ta kesh në fushë”.
Saka këtë sezon ka shënuar 10 gola për Arsenalin dhe ka statistika të shkëlqyera në karrierë me klubin, pasi është i përfshirë drejtpërdrejt në 150 gola (80 gola, 70 asistime) në 308 paraqitje.
Me një vend në finalen e Ligës së Kampionëve në lojë, rikthimi i tij në formë vjen në kohën më të mirë të mundshme – dhe Arsenali shpreson se Saka do të jetë ai që bën diferencën në natën vendimtare ndaj skuadrës së Diego Simeones. /Telegrafi/