Zhvillimet e fundit në Kryeqytet kanë nxitur diskutime për pakënaqësi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndërmarrë hapa politikë si afrim dhe bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në kohën kur LDK zyrtarisht ka mohuar se ka marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në në Prishtinë.
Reagimi zyrtar i LDK-së erdhi pas deklaratës së fundit të Uran Ismailit, ku u përfol për koalicion në kryeqytet. Në komunikatën e publikuar në Facebook, LDK theksoi se nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për bashkëqeverisje dhe se nuk ekziston marrëveshje e tillë.
“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani”, thuhet në reagim.
Kjo parti shtoi se vendimmarrja për marrëveshje ndërpartiake, sipas saj, kalon vetëm nëpër strukturat zyrtare dhe organet vendimmarrëse.
“LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”, thuhet më tej.
Megjithatë, zhvillimet në Komunën e Prishtinës kanë vazhduar me emërime dhe ndryshime. Rama ka njoftuar se po nis “një bashkëpunim të ri politik” edhe me PDK-në dhe ka emëruar Besianë Musmuratin nënkryetare të komunës, raporton Telegrafi.
“Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake… Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e Nënkryetares së Kryeqytetit…”, ka shkruar Rama në Facebook.
Paralelisht me këto zhvillime, Rama ka vazhduar me ndryshime në drejtoritë komunale. Ai ka njoftuar se Zyhrije Pllana është emëruar në pozitën e Drejtoreshës së Investimeve Kapitale, duke falënderuar për kontributin e deritanishëm ish-drejtorin Sokol Havolli.
“Zyhrije Pllana emërohet në pozitën e Drejtoreshës së Investimeve Kapitale…”, ka shkruar Rama, duke shtuar se “njëkohësisht, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë për Sokol Havolli për kontributin e tij…”.
Havolli e konfirmoi për media se ishte shkarkuar dhe tha se kishte humbur besimin te kryetari i Prishtinës, duke e lidhur situatën me raportet politike në kryeqytet.
“Është shkarkim”, ka thënë Havolli, ndërsa më tej deklaroi: “Unë e përfaqësoj LDK-në… por fatkeqësisht kryetari nuk e di për çfarë arsye ka rënë nën ndikim të PDK-së”.
Ai shtoi se nuk kishte kërkuar sqarime për arsyet e vendimit dhe se, sipas tij, nuk do të vazhdonte punën në atë pozitë.
Përveç Investimeve Kapitale, Rama ka njoftuar edhe për emërimin e Pëllumb Bajçinovcit në pozitën e drejtorit të Mobilitetit, duke bërë të ditur se paraardhësi i tij, Donat Lushaku, ka dhënë dorëheqje.
Zhvillimet në Prishtinë janë komentuar edhe nga ish-deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, i cili reagoi me një postim në Facebook, duke shpërndarë një video me deklarata të mëhershme dhe të fundit të Uran Ismailit, e duke e shoqëruar me pyetjen: “E tash çka ka ndryshu?”.
Të gjitha këto zhvillime po ndodhin në prag të zgjedhjeve të parakohshme nacionale, të cilat pritet të mbahen më 7 qershor, ndërsa debatet për raportet brenda LDK-së dhe orientimin politik në Kryeqytet kanë marrë vëmendje të shtuar në opinionin publik. /Telegrafi/