Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se në vazhdën e hetimeve intensive lidhur me rastin për veprën penale ‘’Mashtrimi kompjuterik’’, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, është mundësuar identifikimi dhe sekuestrimi i pasurisë që dyshohet se është përfituar përmes veprimtarive kriminale.
Sipas një njoftimi për media thuhet se si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve.
Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në veçanti të krimeve kibernetike.
Ndërkohë, Prokurori i çështjes do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/