Arsenali ka marrë një avantazh të rëndësishëm në garën për titullin e Ligës Premier, pasi Manchester City humbi pikë në përballjen ndaj Evertonit, duke e lënë tashmë fatin e kampionatit në duart e londinezëve.
Për situatën aktuale ka folur edhe legjenda e Arsenalit, Thierry Henry, i cili në një analizë për Sky Sports theksoi se skuadra e Mikel Artetës duhet të fokusohet vetëm te rezultatet e saj dhe jo te rivalët.
“Tani gjithçka është përsëri në duart e Arsenalit. Nuk është më në duart e Manchester Cityt,” u shpreh Henry, duke shtuar se kishte parashikuar më herët humbjen e pikëve nga skuadra e Pep Guardiolës.
Megjithatë, ish-sulmuesi francez paralajmëroi se asgjë nuk është vendosur ende dhe se skuadra londineze nuk duhet të lejojë euforinë.
telegrafi.com
“Do të qëndroj i qetë dhe nuk do të festoj herët sepse ende nuk ka përfunduar asgjë”, tha ai.
Henry i bëri thirrje ish-klubit të tij që të fokusohet vetëm te ndeshjet e mbetura.
“Arsenali mund të shohë që Manchester Cityn ka humbur pikë, por nuk mund të fillosh të mendosh ‘ndoshta tani…’. Nuk ka ndoshta. Fito ndeshjet e tua. Mos mendo për Cityn. Është në duart e tua”, tha legjenda franceze.
Gara për titull mbetet ende e hapur, por Arsenali tashmë ka një avantazh të rëndësishëm psikologjik në fazën finale të sezonit. /Telegrafi/