Drejtorati i Inspekcionit në Gjilan ka rrënuar një objekt me rrezikshmëri të lartë në lagjen “Dheu i Bardhë”, i cili, sipas autoriteteve, paraqiste rrezik për banorët e zonës.
Drejtori për Inspekcion, Isa Agushi, ka bërë të ditur se objekti trekatësh ishte identifikuar si i rrezikshëm pas ankesave të qytetarëve dhe vlerësimeve nga organet kompetente, duke theksuar se rreziku ishte i shtuar sidomos për fëmijët.
“Ky objekt trekatësh paraqiste rrezik të lartë për banorë dhe pas ankesave të qytetarëve dhe konstatimit se paraqiste rrezik sidomos për fëmijët, është rrënuar”, ka deklaruar Agushi.
Sipas tij, objekti-gërmadhë në rrugën “Salih Aga” mund të shembej edhe vetë, duke paraqitur rrezik të vazhdueshëm për banorët e lagjes.
“Ky objekt-gërmadhë në rrugën ‘Salih Aga’, mund të shembej vet dhe paraqiste rrezik për banorët, sidomos për fëmijët e lagjes”, ka shtuar ai.
Agushi ka theksuar se rrënimi është kryer në mënyrë të kontrolluar, ndërsa pas ndërhyrjes është bërë edhe pastrimi i hapësirës.
“Pas konstatimit të rrezikshmërisë nga organet kompetente, inspektorët u kujdesën që të bëhet rrënimi i kontrolluar dhe të pastrohet hapësira”, ka deklaruar drejtori i Inspekcionit. /Telegrafi/