Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se ka filluar zbatimi i sistemit të ri të triazhimit në Repartin e Emergjencës, me qëllim përmirësimin e organizimit dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për pacientët.
Në një postim në Facebook, spitali ka bërë të ditur se ky organizim i ri synon trajtimin më të shpejtë të rasteve urgjente dhe menaxhimin më efikas të pacientëve, duke u fokusuar në prioritetizimin e rasteve që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Spitali u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke kërkuar që për rastet që nuk janë urgjente të drejtohen për shërbim në ambulancat specialistike ose në kujdesin parësor shëndetësor.
“Emergjenca është në shërbim të rasteve që kërkojnë trajtim të menjëhershëm dhe që paraqesin rrezik për jetën”, thuhet në njoftimin e spitalit. /Telegrafi/