Boksieri shqiptar Eris Bajra ka regjistruar edhe një tjetër sukses të madh në karrierën e tij, duke dalë fitues në përballjen e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Stamboll.
Kampioni i kategorive IBO Youth dhe WBO Youth Welterweight konfirmoi formën e shkëlqyer, duke mposhtur boksierin nga Tanzania, Makaveli Mponji.
Në rikthimin e tij në ring, Bajra u shfaq dominues gjatë gjithë meçit, duke kontrolluar ritmin dhe treguar siguri në çdo raund.
Paraqitja e tij bindëse i siguroi një fitore të pastër dhe të merituar, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e madh që ka në skenën ndërkombëtare të boksit.
Me këtë sukses, 24-vjeçari vazhdon të ruajë bilancin perfekt në boksin profesionist.
Ai numëron 10 fitore nga po aq ndeshje të zhvilluara, një statistikë që e pozicionon si një nga talentet më premtuese shqiptare në këtë sport.
Forma e qëndrueshme dhe rezultatet pozitive bëjnë që pritshmëritë për të ardhmen e Eris Bajrës të jenë gjithnjë e më të larta, ndërsa ai synon hapa edhe më të mëdhenj në karrierën e tij profesionale./Telegrafi/