Kryeministri Edi Rama tha në podcastin e tij “Flasim” se marrëveshja prej 6 miliard dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqinë do të mundësojë furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm për 20 vite.
Rama theksoi se ky investim pritet të krijojë një bazë të qëndrueshme për diversifikimin e burimeve energjetike të vendit.
Një tjetër element i kësaj marrëveshjes sipas Ramës është edhe lidhja e Vlorës me Fierin përmes një tubacioni, duke e integruar TEC-in në rrjetin rajonal të energjisë “çka do ta bëjë Vlorën një pikë të rëndësishme për shfrytëzimin dhe eksportin e gazit përmes gazsjellësit TAP”.
“Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz”, tha Rama.
Ai shtoi se Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.
“Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme”, tha Rama me të tjerash. /euronews/