Luftëtari i famshëm irlandez i UFC-së, Conor McGregor, dhe partnerja e tij prej shumë vitesh, Dee Devlin, i kanë thënë njëri-tjetrit “po” përgjithmonë. Çifti u martua dje, më 12 dhjetor, në një ceremoni fetare të mbajtur në kishën Santo Stefano degli Abissini në Vatikan.
Në pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare, McGregor (37) shihet i veshur me një smoking elegant të zi, pranë nuses së tij, Dee Devlin (38), e cila shkëlqeu me një fustan nusërie me jakë të lartë dhe vello të gjatë e luksoze. Pas ceremonisë, çifti u largua nga kisha me një automjet të bardhë të dekoruar me lule.
Çifti ishte fejuar në vitin 2020, në ditëlindjen e Dee Devlin, kur Conor publikoi një fotografi të përbashkët me mbishkrimin: “Çfarë ditëlindjeje, gruaja ime e ardhshme.” Nga ana e saj, Dee reagoi me fjalët: “Dashuri e përjetshme, i fejuari im”.
Historia e tyre e dashurisë ka nisur në vitin 2008, në një klub nate në Dublin. Gjatë viteve të lidhjes, ata janë bërë prindër të katër fëmijëve: djemtë Conor Jr. (8), Rian (4) dhe Mack (2), si dhe vajzën Croía (6).
McGregor, i cili në korrik të këtij viti humbi apelimin në një rast të sulmit seksual të vitit 2018 pasi Gjykata e Lartë e Irlandës e shpalli përgjegjës, ka theksuar shpesh rëndësinë e mbështetjes së Dee Devlin në jetën dhe karrierën e tij.
“Dee është shpëtimtarja ime. Nuk do ta bëja këtë pa të, kjo është e sigurt. Gjithçka që bëj, e bëj për të,” është shprehur ai që në vitin 2013.
Luftëtari i MMA-së, i cili më herët këtë vit kishte përmendur edhe mundësinë e kandidimit për president të Irlandës, ka deklaruar se punon fort për të siguruar të ardhmen e familjes së tij dhe të Dee-së.
“Një ditë dua që unë dhe Dee të pushojmë në një plazh dhe të mos shqetësohemi për asgjë në botë. Prandaj punoj kaq shumë,” ka thënë ai.
Sa i përket dasmës, McGregor kishte treguar që në vitin 2021 se ëndërronte një ceremoni ekstravagante.
“Do të kemi më të mirën nga më e mira, dhe pastaj edhe më shumë se kaq,” kishte thënë ai për Extra, duke shtuar se fillimisht kishte dëshirë që dasma të mbahej në Irlandë, por ishte i vetëdijshëm se organizimi do të ishte një proces i madh.
“Do të shohim çfarë do të ndodhë. Jam gati për gjithçka,” kishte përfunduar ai. /Telegrafi/