Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, ka deklaruar se administrata amerikane e Donald Trumpit nuk e konsideron të nevojshme të kërkojë autorizim të ri nga Kongresi amerikan për veprimet ushtarake kundër Iranit, duke argumentuar se afati ligjor i përcaktuar mund të pezullohet për shkak të armëpushimit në fuqi.
Sipas Rezolutës për Kompetencat e Luftës të vitit 1973, presidenti amerikan duhet të njoftojë Kongresin për përdorimin e forcës ushtarake dhe brenda 60 ditëve ose të ndalojë operacionet ose të marrë miratim zyrtar për vazhdimin e tyre.
Ky afat për operacionet ndaj Iranit pritet të skadojë në fund të kësaj jave, shkruan cnn.
Gjatë një seance dëgjimore para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, Hegseth tha se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit, i cili ka hyrë në fuqi më 8 prill, sipas interpretimit të administratës nënkupton “pezullimin” e orës 60-ditore, pavarësisht se operacione të caktuara detare vazhdojnë ende.
“Do t’i referohesha Shtëpisë së Bardhë dhe këshilltarëve ligjorë të saj, por në kuptimin tonë, gjatë armëpushimit ora 60-ditore ndalet”, tha Hegseth.
Deklarata u kundërshtua nga senatori demokrat Tim Kaine, i cili argumentoi se ligji nuk e mbështet një interpretim të tillë.
Ai paralajmëroi se skadimi i afatit 60-ditor mund të krijojë një çështje të rëndësishme ligjore për administratën amerikane, nëse operacionet ushtarake vazhdojnë pa miratimin e Kongresit. /Telegrafi/