Barcelona po vazhdon planifikimin për afatin kalimtar të verës, me fokus të veçantë në përforcimin e repartit defensivë. Shtimi i një qendërmbrojtësi të ri mbetet prioritet për klubin katalanas.
Fillimisht, prioriteti i Barcelonës ishte Alessandro Bastoni nga Interi, por kërkesat financiare të klubit italian kanë bërë që kjo pistë të komplikohet.
Sipas Mundo Deportivo, një emër i ri që ka hyrë fuqishëm në radar është braziliani Natan, i cili aktualisht luan për Real Betis. 25-vjeçari është nën kontratë deri në vitin 2030 dhe po paraqitet në formë të mirë në La Liga.
Vlera e tij në treg vlerësohet rreth 30–35 milionë euro, ndërsa profili i tij shihet si i përshtatshëm për projektin e trajnerit Hansi Flick.
Natan preferon të vazhdojë karrierën në Spanjë, edhe pse interes për të kanë shfaqur edhe klube të Ligës Premier si Newcastle United, Bournemouth dhe West Ham United.
Megjithatë, Barcelona mbetet një nga destinacionet më të mundshme, pasi klubi kërkon të forcojë mbrojtjen për sezonin e ardhshëm dhe të rrisë konkurrencën në skuadër./Telegrafi/