Bashkimi është një hap larg finales së play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll, pasi të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren e mposhti Borën me rezultat 88:73.
Me këtë fitore, prizrenasit kaluan në epërsi 2:1 në serinë gjysmëfinale dhe tani u duhet edhe një triumf për ta siguruar finalen.
Ndeshja e katërt luhet të shtunën në Prishtinë, ndërsa nëse ka nevojë për ndeshje vendimtare, e pesta do të zhvillohet pas një jave në Prizren.
Bora e nisi më mirë takimin, madje krijoi seri 11:0 dhe e mbylli çerekun e parë në avantazh 23:17, por Bashkimi reagoi fuqishëm në të dytin, të cilin e fitoi 32:22.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 49:45 për Bashkimin, ndërsa rënies së Borës i kontribuoi edhe lëndimi i kapitenit Amin Hot, që luajti vetëm shtatë minuta dhe shënoi gjashtë pikë.
Në çerekun e tretë skuadrat ishin thuajse të barabarta, 19:18. Bora nuk ndali përpjekjet për kthim as në çerekun e katërt, por pa sukses. Në fund, Bashkimi fitoi me plot 15 pikë dallim.
Te Bashkimi u dallua Shannon Shorter me 23 pikë, ndërsa Kenny Wooten shtoi 15 pikë. Te Bora më efikasi ishte Jordan Dingle me 23 pikë.
Në gjysmëfinalen tjetër të play-offit përballen Trepça dhe Peja, ku pas dy ndeshjeve rezultati është 1:1, ndërsa ndeshja e tretë luhet të enjten nga ora 19:30 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.