Një nga zbulimet më të mëdha të këtij sezoni në Superligën e Kosovës është sulmuesi anësor Lorik Dobratiqi që po paraqitet te e Prishtina e Re.
I dalluar për shpejtësi të jashtëzakonshme, depërtime të rrezikshme dhe teknikë të mirë individuale, Dobratiqi ka pasur paraqitje të qëndrueshme dhe me ndikim të lartë në lojën e skuadrës, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, ku me shumë gjasë, nuk do të qëndrojë te klubi aktual.
Në vitin e tij të parë në elitën e futbollit kosovar, ai ka regjistruar 3 gola dhe 3 asistime, shifra që, bashkë me formën e tij, kanë bërë që interesimi nga jashtë të rritet ndjeshëm.
Telegrafi ka mësuar se për Dobratiqin tashmë kanë ardhur oferta konkrete nga Ukraina, Rumania dhe Polonia, ndërsa një transferim i mundshëm gjatë afatit të ardhshëm duket gjithnjë e më i afërt.
Me profilin e një lojtari me potencial të madh zhvillimi, Dobratiqi po konsiderohet si një emër që premton shumë për të ardhmen dhe që po e përfaqëson me dinjitet futbollin kosovar. /Telegrafi/