KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Opozita kërkon mbledhje urgjente me ministrin Ferit Hoxha

Opozita kërkon mbledhje urgjente me ministrin Ferit Hoxha

Një grup deputetësh të Partisë Demokratike, anëtarë të Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, kanë kërkuar paraqitjen urgjente të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përpara këtij Komisioni.

Kërkesa bazohet në detyrimin kushtetues dhe ligjor të Kuvendit për ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme, e cila prek drejtpërdrejt interesin kombëtar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Sipas pretendimit të deputetëve të opozitës dhe raportimeve të fundit mediatike ministri Hoxha ka qenë i përfshirë në dy incidente serioze që kanë shkaktuar dëm të rëndë diplomatik.

“Së pari: Është raportuar se Ministri Hoxha ka udhëzuar trupën diplomatike shqiptare që të pamundësojë çdo komunikim dhe bashkëpunim me znj. Donika Gërvalla-Schëarz, Ministre e Drejtësisë së Republikës së Kosovës (ish-Ministre e Punëve të Jashtme). Ky qëndrim përbën një precedent të rrezikshëm, cenon frymën e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe dëmton marrëdhëniet strategjike Shqipëri–Kosovë. Heshtja e ministrit përballë këtyre akuzave e thellon përgjegjësinë e tij”, thuhet në kërkesën e deputetëve të opozitës.

Gjithashtu grupi i deputetëve të opozitës thekson se incidenti i dytë lidhet me komunikimin që ministri Hoxha ka pasur me ambasadorët shqiptarë dhe etiketimin fyes që u ka bërë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Së dyti: Rreth tre ditë më parë, në një grup komunikimi me ambasadorët shqiptarë, Ministri Hoxha ka përdorur shprehjen “idiotë” për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Kjo gjuhë fyese, e papranueshme për kreun e diplomacisë së një shteti, ka provokuar reagime të ashpra nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ka dëmtuar rëndë imazhin e Shqipërisë si mbrojtëse e të drejtave të bashkëkombësve tanë”, theksohet në kërkesën e deputetëve.

Sipas tyre, të dyja këto incidente, të njëpasnjëshme, kanë “krijuar fraktura serioze në marrëdhëniet me Kosovën dhe me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duke minuar besueshmërinë e politikës së jashtme shqiptare dhe duke vënë në pozita të vështira trupën tonë diplomatike”.

Për këtë arsye, deputetët kërkojnë thirrjen e menjëhershme të ministrit Ferit Hoxha përpara komisionit, për të dhënë llogari për këto dy incidente; kërkimin e një apologiie publike nga ministri; drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për cilësimin fyes “idiotë” dhe drejtuar ministres Donika Gërvalla dhe institucioneve të Kosovës për qëndrimin fyese dhe kufizues.

Midis të tjerave ata kërkojnë dorëheqjen e ministrit Hoxha, duke qenë se dëmi diplomatik i shkaktuar e bën të pamundur vijimin me besueshmëri të funksionit të tij./RTSH

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.