Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli i konsideroi të pabaza deklarimet e partive opozitare që po shkelet Kushtetuta në mungesë kuorumi.
Ai i ka ftuar deputetët e partive opozitare që të marrin pjesë në seancën e ftuar për në orën 19:00.
“Askush nuk po shkel Kushtetutë, nuk po shkel procedura, as rregulla. Është krejtësisht e pabazë kjo akuzë. Prandaj unë i ftoj edhe një herë edhe përmes mediave tuaja partitë opozitare që të vijnë deputetët, që të mos fshihen prapa skutave këtu në Kuvendin e Kosovës, por le të vijnë le të debatojnë dhe të marrin vendime të dobishme”, tha ai.
Para fillimit të seancës, ai u pyet edhe për situatën kur u votua Atifete Jahjaga për presidente, për të cilën tha se është kontekst tjetër.
“Ju po ktheheni shumë kohë prapa, tjetër kontekst, tjetër kohë, tjera rrethana dhe mendoj 51.1 për qind i rezultatit të zgjedhjeve së 28 dhjetorit, ky është problemi, por ne nuk mund ta ndryshojmë”, shtoi ai.
Ai akuzoi partitë opozitare për bllokadë, teksa shtoi se kandidatja për presidente, Feride Rushiti është përfaqësim i denjë.
“Do të ishte e mirë që edhe partitë opozitare ta kenë këtë interesim që të zgjedhim çështjen e presidentit. Tani kemi dy kandidatura e një për të cilën jemi përcaktuar, zonja Feride Rushiti, një zonjë e nderuar e cila besoj që është një përfaqësim i denjë edhe për Republikën tonë edhe për gjithë shoqërinë, nuk është e Vetëvendosjes, nuk ka qenë asnjëherë në Vetëvendosje, është e gjithë neve prandaj do të duhej të ishim të gjithë bashkë dhe ta zgjidhim këtë çështje. Mirëpo, kjo po tregon që partitë opozitare asnjëherë nuk e kanë pasur problemin e zgjidhjes së çështjes së presidentit, për ta është e vetmja mundësi për ta bllokuar shtetin, për ta bllokuar qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës”, tha ai.