David Barnea ka deklaruar gjatë një ceremonie në selinë e Mossad se shërbimi izraelit i inteligjencës ka realizuar operacione vendimtare në Iran, Liban dhe shtete të tjera.
Shefi i shërbimit sekret izraelit deklaroi se roli i Mossadit gjatë luftës ka ndryshuar, duke theksuar se agjencia, së bashku me ushtrinë izraelite, është bërë më ofensive dhe më efikase në fushatat kundër Iranit dhe Hezbollah, të cilin e përshkroi si një grup terrorist të ndërmjetësuar nga Irani.
Duke folur për misionet e vitit 2025, ai theksoi se shërbimi ka siguruar informacione strategjike dhe taktike të inteligjencës nga vetë thelbi i sekreteve të kundërshtarëve, shkruan timesofisrael.
“Ne kemi siguruar të dhëna strategjike dhe taktike nga zemra e sekreteve të armikut”, tha ai, duke shtuar se janë demonstruar aftësi të reja dhe vendimtare operative në shtetet e synuara.
Sipas tij, operacionet e Mossadit kanë ndihmuar në kryerjen e goditjeve “në zemër të Tehranit”, në parandalimin e veprimit të operativëve të rangut të lartë, si dhe në përpjekjet për t’i siguruar Izraelit epërsi ajrore dhe mbrojtje të frontit të brendshëm. Ai shtoi gjithashtu se aksionet e njohura këtë vit kanë mundësuar zgjerimin e kufijve të veprimit në Liban dhe Iran.
Barnea theksoi edhe rëndësinë e një fushate të fshehtë diplomatike, për të cilën tha se ka qenë kyçe për forcimin e aleancave rajonale dhe zgjerimin e thellësisë strategjike të Izraelit.
Megjithëse bashkëpunimin me ushtrinë e përshkroi si një faktor që ka ndryshuar pozitën strategjike të Izraelit, ai paralajmëroi se kërcënimet vazhdojnë të ekzistojnë.
“Nuk do të kënaqemi me arritjet. Kur të identifikojmë një kërcënim, do të veprojmë me gjithë forcën”, deklaroi Barnea. /Telegrafi/