Deputetja e PDK-së, njëherit nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe qasje të papërgjegjshme institucionale.
Në një reagim publik, ajo ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet procesi.
“Vetë ideja që, me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurti”, ka shkruar Çitaku.
Çitaku ka shprehur gjithashtu keqardhje për përfshirjen e disa kandidateve në këtë proces.
“Është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetuese”, ka deklaruar ajo.
Duke theksuar sakrificat e qytetarëve për ndërtimin e institucioneve, Çitaku ka paralajmëruar kundër, siç e quan ajo, rrënimit të tyre.
“Ky popull ka sakrifikuar shumë për të pasur liri, pavarësi dhe institucione. Dhe nuk do të lejojmë përmbysjen dhe rrënimin e gjithçkaje që është ndërtuar me aq shumë mund”, ka thënë ajo.
Në fund, ajo ka përdorur edhe një shprehje popullore për të përmbyllur reagimin: “Zullumi këputet prej së trashi”. /Telegrafi/