Me 63 vota për, 4 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi anëtarët e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurispudencës, me Arian Gashin kryetar.
Ersan Qavolli u zgjodh zëvendësanëtar për lëndën e së drejtës penale, ndërsa Lumni Salihuka dhe Arsim Hamza për lëndën e së drejtës civile.
Anita Prenaj Krasniqi dhe Suada Rama Hamza do të mbulojnë lëndën e së drejtës kushtetuese dhe bazat e sistemit gjyqësor.
Për të drejtën tregtare dhe të punës u zgjodhën Burim Shala dhe Nehat Çelaj, ndërsa për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e Bashkimit Evropian, Bujar Muzaqi dhe Hysni Ismaili.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se ky projektligj duhet të miratohet, sepse kjo garanton një proces të drejtë për juristët që aspirojnë dhënien e provimit të jurispudencës.
“Bazuar në kompetencat ligjore dhe në përgjegjësinë e mbikëqyrjes së këtij procesi, Ministria e Drejtësisë ka analizuar tërë procesin dhe ka bërë një vlerësim për tre afatet e mbajtura nga komisioni aktual. Për këto afate të mbajtura, ministria kishte pranuar mbi 243 ankesa, të cilat fokus kishin në punën e komisionit. Në aspektin statistikor, analiza krahasuese ndërmjet dy periudhave tregon një shpërputhje të standardit të vlerësimit. Ndërkohë, në periudhën 2023–2025, kalueshmëria në provim sillet në 3 dhe 4%, ndërsa në komisionin paraprak 2021-2023 arrinte mbi 34%. Një devijim i tillë nuk reflekton një standard të qëndrueshëm”, u shpreh ajo.
Ajo tha se për më shumë se dy vjet, i tërë procesi me komisionin aktual është shoqëruar me probleme, duke filluar nga mungesa e transparencës. Gërvalla shtoi se e tërë kjo ka dëmtuar besueshmërinë e procesit dhe ka cenuar integritetin e tij, duke ndikuar në mbarëvajtjen e tij.
Ndërsa, zëvendëskryetari i komisionit aktual Vigan Qorolli bëri të ditur seështë ndryshuar vendimi i Qeverisë, ashtu që zëvendësanëtare u zgjodh Rrezarta Lleshaj, ndërsa zëvendësanëtar Hysni Ismaili.
Sipas opozitës, është shkelje e Kushtetutës ndryshimi i komisionit pa u shkarkuar ai aktual dhe pa dhënë arsyetimet e tyre personale për shkeljet.
Kështu deputeti i PDK-së Përparim Gruda tha se nuk e përkrah këtë formë të ndryshimit të komisionit.
“Sipas Kushtetutës, kur ndërrohet një komision, nënkuptohet që shkarkohet ai paraprak, ndërsa komisioni paraprak nuk është shkarkuar. E shoh problematike në pikëpamje kushtetuese nëse anëtarët aktualë vendosin të ankohen – ata mund ta fitojnë rastin dhe ta rrëzojnë këtë vendim. Ajo që duhet të ndodhë është që secili anëtar të ketë arsyetim individual për shkarkim. E shoh problematik ndërrimin e anëtarëve në këtë mënyrë, kur nuk kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e mbështet një veprim të tillë. Prandaj, ne nuk e përkrahim këtë formë të ndryshimit të komisionit”, tha ai.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili tha se ankesat nuk janë të mjaftueshme për të vendosur një komision në kontroll.
“Po flasim për ndërhyrje në një trup profesionale që vlerëson kandidatët në një nga provimet më të rëndësishme në gjyqësi. Mund të ketë pakënaqësi dhe vërejtje, por ankesat nuk përdoren për ta vendosur një komision nën kontroll; ato trajtohen përmes proceseve të auditimit. Nuk mjafton një vlerësim individual i ministrit, aq më pak kur bëhet fjalë për meritën e provimit. Juristë të rinj – jam e bindur se edhe ata që kanë rënë në provim nuk duan ta përfundojnë atë me një “borxh politik.Vetëm dy gjëra i keni konkrete: po sillni ligje për t’i miratuar me nguti dhe nuk shoh se diçka e tillë duhet të bëhet me këtë urgjencë, përveç nëse keni vendosur të shkoni në zgjedhje, gjë që tashmë dihet”, u shpreh ajo.
Ndërsa edhe Armend Zemaj nga radhët e LDK-së akuzoj mazhorancën parlamentare se në zgjedhjen e këtij komisioni janë duke e ulur standardin.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinajm tha se në emrat e propozuar për Komisionin e ri për dhënien e Provimit të Jurispudencës nuk sheh cilësi të anëtarëve.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ndalon shkarkimin grupor dhe kërkon arsyetim për secilin anëtar se çfarë shkelje ka bërë. Unë kam pritur që të shpalosni edhe ofertën për kandidatët, pra çfarë kriteri është përdorur për të ardhur në këtë përbërje, sepse ka të panjohura që janë këtu në tavolinë. Ishte dashur të përqendroheni në cilësinë e anëtarëve të komisionit të ri”, tha ai.
Ndërsa Ministrja e Drejtësisë, Gërvalla iu kundërpërgjigj Haradinajt se në emrat e propozuar do të gjejnë gjyqtarë që kanë marrë vendime të rëndësishme edhe kundër qeverisë.
“Në këtë komision do të gjeni gjyqtarë të cilët kanë marrë vendime mjaft të rëndësishme kundër kësaj qeverie. Dua të theksoj se kriteri ynë nuk ka qenë lojaliteti ndaj vendimeve të qeverisë, por propozimet që kanë ardhur nga trupa të ndryshme profesionale, të cilat kanë shprehur besimin e tyre në profesionalizmin e anëtarëve të komisionit”, tha ajo.