Më 57 vota për, një kundër dhe katër abstenime, Kuvendi i Kosovës zgjodhi tre anëtarë të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Driton Vela, Florim Gallopeni dhe Shkurtë Bajgora.
Sipas opozitës, emërimi i tyre është kapje e institucioneve të pavarura. E, kësaj radhe kundër votimit ishte edhe deputeti i mazhorancës, Haxhi Avdyli.
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, tha se institucionet po rrezikohen të shndrërrohen në instrumente politike.
“Në vazhdën e këtyre dështimeve të Kurtit sot në këtë seancë jemi të gjithë dëshmitarë të tentativës së qartë për politizim në arsim. Rasti i fundit është përshpejtimi dhe ndërhyrjet në bordet e institucioneve të pavarura si Agjencia e Akreditimit. Institucionet që duhet të jenë nga rendi i cilësisë, të pavarura dhe profesionale fatkeqësisht po rrezikohen të shndërrohen në instrumente politike. Dhe mbi të gjitha ironike, si pikërisht sjelljet: VV-ja ka proklamuar përparime se këto borde duhet të jenë neutrale, sot po shfaqen haptas për kapjen e institucioneve të pavarura të shtetit”, tha Jashari.
Shefja e grupit parlamentarë të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se Agjencia e Akreditimit nuk është zyrë partiake e pushtetit.
“Po flasim për një proces përzgjedhjeje, e cila është jashtë afateve kohore, është bërë vlerësim për 48 orë dhe duke anashkaluar edhe procedurat jo vetëm afatet. Kur e paramendoni për institucionin, për të cilin po flasim, për arsimin po flasim për tentimkapjen dhe politizimin e saj. Tash edhe konkretisht bëhet fjalë për instalimin e njerëzve të partisë së VV-së në këtë bord. Driton Vela ish- kandidat për deputet i tyre. Agjencia e Akreditimit nuk është zyrë partiake e pushtetit”, tha Lushaku.
Edhe Time Kadrijaj nga AAK-ja mendon njëjtë. Ajo përmendi edhe qëndrimin dikur të VV-së që institucionet duhet të jenë të pavarura.
“Po shihet qartë tendenca e VV-së. Të kujtohen premtimet, me të cilat keni ardhur në pushtet. Të afërmit, militantët e partive politike, jo në dasma e ahengje, këto kanë qenë fjalët e VV-së se keni thënë se institucionet duhet të jenë të pavarura. Po ashtu, keni ardhur me premtimin çkapjen e institucioneve. E çka po bëni ju? Po i kapni rend institucionet edhe këto ditë duke ditur që ka zgjedhje, me procedura të përshpejtuara po sillni ligje”, tha Kadrijaj.
Kësaj radhe kundër ishte edhe deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli. Ai kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një seancë të radhës, nëse jo do të abstenojë ose të votojë kundër.
Sipas tij, me nominimin e tre kandidatëve nuk i bëhet nder Agjencisë për Akreditim
“Duke u bazuar në vërejtje të shumë organizatave joqeveritare, monitoruese të arsimit dhe profesionistëve shëndetësorë e arsimorë, unë kisha kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet në një seancë të radhës. Nuk po flas në aspektin as profesional, as politik, por po flas se duke i njohur edhe kandidatët e nominuar, të cilët edhe në aspektin profesional janë shumë më profesional. Nëse kjo vazhdon unë nuk do votoj ose do të votoj kundër. Besoj që nuk i bëjmë nder kësaj agjencie”, u shpreh ai.
Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku iu kundërpërgjigj se jemi bashkë në përgjegjësitë tona shtetërore për ta ruajtur integritetin e një institucioni.
“Unë e kuptoj drejt dhe dua të besoj që shqetësimin e keni përnjëmend. Këtu jemi bashkë në përgjegjësitë tona shtetërore për ta ruajtur integritetin e një institucioni, siç është Agjencia e Akreditimit. KSHC-ja duhet të jetë funksionale plotësisht me përbërje të plotë dhe ky ka qenë motivi kryesor pse jemi angazhuar. Unë ju siguroj që bashkë me stafin civil dhe të tjerët kemi bërë përpjekje maksimale për të respektuar në plotëni procedurën ligjore”, tha Çeku.