Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan ka njoftuar se gjatë çdo dite pune, në ambulancën specialistike të ortopedisë trajtohen mesatarisht rreth 55 pacientë.
Sipas njoftimit, ofrimi i këtij shërbimi është specifik, pasi në shumicën e rasteve kërkohet edhe përfshirja e shërbimit të radiologjisë, çka, sipas spitalit, ka sjellë vështirësi në sistemimin e radhëve.
Spitali bën të ditur se aktualisht është duke zbatuar një plan që synon rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, me qëllim që t’u kushtohet më shumë kohë pacientëve dhe të sigurohet vazhdim normal i punës në këtë shërbim.
Duke theksuar se ditët e fundit ka pasur fluks më të lartë pacientësh në ortopedi, spitali ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët. Po ashtu, menaxhmenti ka bërë të ditur se institucioni ndodhet në fazën e renovimit të shërbimeve kryesore, duke kërkuar mirëkuptim edhe për këtë proces.
Në njoftim, spitali ka theksuar se stafi do të bëjë maksimumin për ofrimin sa më cilësor dhe në kohë të shërbimeve shëndetësore. /Telegrafi/