Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se 27 prilli mbetet plagë e hapur për Kosovën, duke theksuar nevojën për drejtësi për personat e zhdukur gjatë luftës.
Në një postim, Osmani ka thënë se familjet e të zhdukurve ende presin përgjigje, ndërsa ka kërkuar që Serbia të hapë arkivat dhe të japë llogari për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Familjet ende presin. Disa për një varr. Disa për një përgjigje. Që të gjithë në ankth. Kosova kërkon drejtësi të plotë”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka theksuar se mbajtja e të zhdukurve me dhunë dhe fshehja e varrezave masive përbën, siç u shpreh ajo, krim të përsëritur, duke shtuar se “e vërteta dhe paqja ndërtohen vetëm mbi drejtësi”.
“E ardhmja ndërtohet vetëm mbi të vërtetën. Paqja e vërtetë ndërtohet vetëm kur ka drejtësi. E vërteta e vetme është se Serbia ende fle mbi varreza masive”, ka deklaruar Osmani. /Telegrafi/