Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është realizuar me sukses një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale te një paciente e diagnostikuar me kancer të vezoreve në stad të avancuar.
Sipas njoftimit të spitalit, operacioni është kryer nga ekipi i mjekëve specialistë të gjinekologjisë, duke dëshmuar kapacitetet profesionale për trajtimin e rasteve të rënda në këtë institucion shëndetësor.
“Është realizuar me sukses një operacion tejet sfidues te një paciente e diagnostikuar me kancer të vezoreve në stad të avancuar”, thuhet në njoftim.
Për shkak të natyrës së sëmundjes, ndërhyrja ka përfshirë procedura të gjera kirurgjikale për eliminimin e masës malinje, përfshirë histerektominë totale me adneksektomi bilaterale, omentektominë infra-kolike si dhe apendektominë.
Operacioni është udhëhequr nga mjekët specialistë të gjinekologjisë, Arben Hajrizi, Granit Zogaj dhe Vjollca Çitaku, me mbështetjen e specialistit të anesteziologjisë Arbër Bardhaj dhe stafit tjetër mjekësor.
Nga spitali theksohet se ky sukses është rezultat i përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit shëndetësor, duke konfirmuar avancimin e shërbimeve mjekësore në këtë institucion. /Telegrafi/