Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë të dielën me një deklaratë zyrtare, pas rikthimit të dyshimeve për kurdisje të rezultateve në futbollin kosovar, çështje që zakonisht aktualizohet në xhirot e fundit të kampionatit.
Tema u rihap pas komenteve publike të zyrtarëve të Ballkanit dhe Llapit në rrjete sociale, ku u hodhën akuza për manipulim. Bali Kabashi, vëllai i presidentit të FC Ballkanit, Arsim Kabashit, shkroi se ndeshja mes Dritës dhe Llapit është e kurdisur dhe “dihet se kush fiton”, duke aluduar në fitoren e Dritës. Më pas reagoi edhe Amrush Batatina, vëllai i presidentit të KF Llapit, Beqir Batatinës.
Ai e akuzoi Ballkanin për kurdisje ndeshjes, duke e përfshirë edhe KF Malishevën.
Në reagimin e saj, FFK – përmes Komisionit të Integritetit të Garave dhe Komisionit të Garave – theksoi se monitorimi bëhet vazhdimisht në të gjitha ndeshjet e kampionatit, jo vetëm në këtë xhiro. Federata bëri të ditur se, përveç mekanizmave të saj të brendshëm, ekziston edhe një organizatë e kontraktuar nga UEFA që analizon ndeshjet për çështje që lidhen me integritetin.
FFK sqaroi se për çdo ndeshje angazhohen përfaqësues të Komisionit të Integritetit me qëllim të mbikëqyrjes dhe raportimit të çdo situate që mund ta cenojë garën.
“Sa i përket deklaratave publike të zyrtarëve të klubeve, Federata njoftoi se do t’i trajtojë ato me “seriozitet të plotë” dhe se, në përputhje me rregulloret në fuqi, do të iniciojë procedura disiplinore. Po ashtu, u tha se në këtë proces do të përfshihen edhe institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe organet e tjera brenda Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive”, të cilat, sipas FFK-së, tashmë janë të njoftuara.
Federata theksoi gjithashtu se është në komunikim të vazhdueshëm me mekanizmat e UEFA-s dhe se ndeshjet në fjalë “kanë qenë dhe mbeten të monitoruara”.
Në deklaratë, FFK bëri thirrje që çdo pretendim publik të shoqërohet me fakte dhe dëshmi konkrete, duke paralajmëruar se vetëm mbi bazën e provave mund të merren masa konkrete dhe të zhvillohen procese të drejta.
FFK garantoi se çdo individ apo klub që vërtetohet se ka qenë i përfshirë në manipulim të ndeshjeve do të përballet me masa të rrepta disiplinore, deri në përjashtim nga garat, në përputhje me rregulloret e FFK-së dhe normativat e UEFA-s e FIFA-s.
Në fund, Federata rikujtoi se klubet pretendente për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare janë nën monitorim të vazhdueshëm, pasi UEFA nuk lejon pjesëmarrjen e ekipeve që cenojnë integritetin e ndeshjeve, ndërsa ftoi çdo person që posedon informata të besueshme t’i paraqesë ato në organet kompetente, përfshirë Prokurorinë e Shtetit. /Telegrafi/