Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar opozitën për “refuzim pa alternativë”, duke thënë se brenda një dite ka pasur dy vendime që, sipas saj, e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të panevojshme dhe e lënë qytetarin pa mbështetje financiare.
Në një postim në rrjete sociale, Nagavci ka deklaruar se para nisjes së seancës opozita ka refuzuar propozimin e LVV-së që vetë opozita të propozojë tre kandidatë për President.
“Sipas saj, opozita ankohet se LVV po i do të gjitha pozitat, por kur i jepet mundësia të propozojnë vetë, ‘thonë jo’”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka shtuar se po gjatë ditës së njëjtë, opozita ka votuar edhe kundër trajtimit në seancë plenare të rishikimit të buxhetit, i cili – sipas Nagavcit – do të mundësonte financimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 në vlerë prej 200 milionë euro.
“Çdo ditë flasin për çmimet e larta. Por kur vjen momenti për të ndihmuar familjet, nuk e votojnë”, ka theksuar ajo.
Nagavci ka paralajmëruar se kjo qasje, sipas saj, e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat tha se kushtojnë rreth 10 milionë euro, duke shtuar se “zgjedhjet e reja janë edhe të panevojshme edhe të shmangshme”./Telegrafi/