Nën Ligjin për Kompetencat e Luftës (War Powers Resolution), i quajtur edhe Akti për Kompetencat e Luftës, një president amerikan që ka aktivizuar forcat e armatosura pa miratimin e Kongresit amerikan, ka 60 ditë kohë për të ndalur operacionin ushtarak.
Data 1 maj 2026 është shënuar me të kuqe në kalendarët e shumë zyrave të Partisë Demokratike dhe të kundërshtarëve të luftës me Iranin në mbarë botën.
Sipas raportimit, SHBA ka nisur sulme me raketa ndaj Iranit më 28 shkurt, duke e përshkallëzuar shpejt konfliktin që ka përfshirë edhe vende të tjera të Gjirit Persik dhe ka shkaktuar krizë globale energjetike.
Që atëherë, luftimet kanë vazhduar dhe kanë shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha ekonomike, shkruajnë mediat.
Megjithatë, juridikisht në SHBA, kjo nuk konsiderohet ende “luftë” në kuptimin e plotë të ligjit deri më 1 maj.
Sipas ligjit, presidenti duhet të tërheqë forcat brenda 60 ditëve nëse nuk merr miratim nga Kongresi.
Ekziston edhe mundësia e një zgjatjeje 30-ditore, por vetëm nëse jepet garanci për tërheqje të sigurt të trupave.
Afati 60-ditor në këtë rast përfundon më 1 maj.
Zyrtarë dhe ligjvënës nga të dy partitë e kanë quajtur këtë datë një “pikë kthese”.
Nëse nuk arrihet paqe deri atëherë, Trump ka dy opsione kryesore – të kërkojë miratim nga Kongresi për vazhdimin e operacionit ushtarak, ose të tërheqë forcat amerikane.
Por ekziston edhe një rrugë tjetër: të përdorë një autorizim më të gjerë për përdorim force ushtarake (AUMF), që do t’i lejonte vazhdimin e operacioneve pa afat të caktuar.
Disa ekspertë thonë se presidentët e mëparshëm kanë gjetur mënyra për të anashkaluar kufizimet e këtij ligji duke e interpretuar ndryshe rolin e operacioneve ushtarake.
Nëse Trump e injoron afatin pa marrë miratimin e Kongresit, kjo mund të krijojë krizë politike dhe ligjore në SHBA, duke rritur presionin ndaj tij dhe administratës që drejton. /Telegrafi/