Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Bujar Gashi ka marrë detyrën si Drejtor i Shëndetësisë në kryeqytet.
Sipas Ramës, Gashi vjen në këtë pozitë me përvojë profesionale dhe mbështetje të madhe qytetare.
“Bujar Gashi merr detyrën si Drejtor i Shëndetësisë në Kryeqytet, duke sjellë me vete një përvojë të gjatë profesionale dhe besimin e madh qytetar”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se besimi i marrë në zgjedhjet e fundit është dëshmi e angazhimit të tij në shërbim publik.
“Jam i bindur se ai do të vazhdojë të punojë me transparencë dhe vizion për të gjithë qytetarët”, ka shtuar ai.
Kryetari i Prishtinës ka shprehur mirënjohje edhe për drejtorin e deritanishëm të Shëndetësisë, Izet Sadiku, për kontributin e tij gjatë mandatit.
“Gjatë mandatit të tij, ai ka dëshmuar profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve dhe sistemit shëndetësor”, ka vlerësuar Rama.
Ai ka theksuar se puna dhe qasja e Sadikut kanë vendosur standarde të larta në drejtimin e këtij sektori.
“Faleminderit për përkushtimin dhe profesionalizmin që do të mbeten referencë për të ardhmen”, ka përfunduar Rama, duke i uruar suksese Gashit në detyrën e re. /Telegrafi/