Drejtoresha e DAP-it, shprehet e prerë se nuk ka dhe nuk mund të ketë tatim të dyfishtë, pasi vetë rregullativa e pamundëson një gjë të tillë.
Duke komentuar ankesat e studentëve, të cilët thonë se për “Work and Travel” tashmë kanë paguar tatim në vendin nga ku i kanë fituar të ardhurat dhe se tani obligohen për tatim të dyfishtë, Elena Petrovska sqaron se në raste të tilla, studentët apo të gjithë qytetarët që tashmë kanë paguar tatim jashtë, duhet të sigurojnë një dëshmi për tatimin e paguar jashtë vendit dhe atë dëshmi e dorëzojnë te Drejtoria Për të Ardhura Publike, që të mund të pranohet si kredi tatimore.
“Te të ardhurat që qytetarët i realizojnë jashtë vendit nuk ka dhe nuk mund të ketë tatim të dyfishtë, sepse rregullativa pamundëson tatimin e dyfishtë. Vetëm nevojitet zbatimi i procedurave të caktuara të përcaktuara në ligje dhe në marrëveshjet ndërkombëtare. Domethënë prej ligjit për të ardhura publike, del që qytetari e paguan tatimin në Maqedoni, por tatimi i paguar në vendin e huaj me të cilën nuk kemi marrëveshje ndërkombëtare pranohet këtu si kredi tatimore. Poashtu edhe me marrëveshjet ndërkombëtare, saktë rregullohet se në cilin vend duhet të paguhet tatimi dhe rregulli i përgjithshëm është se tatimi nuk mund të paguhet në të dyja vendet por duhet të paguhet në njërin nga vendet. Që të kihet kujdes ndaj këtij rregulli dhe të mos ketë as tatim të dyfishtë e as lirim të dyfishtë, respektivisht tatimi të mos paguhet askund, duhet të zbatohet procedurë e caktuar, gjegjësisht qytetari për realizimin e të ardhurave duhet të posedojë dëshmi, dokument i dhënë nga administrata tatimore, për tatimin e paguar në vendin ku është tatimuar”, tha Drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova për Alsat.
Ajo nënvizoi se DAP po u del në ndihmë studentëve dhe qytetarëve duke u dhënë njoftime dhe kohë për sigurimin e dëshmive, si dhe duke u dhënë mundësi që vullnetarisht ta plotësojnë obligimin ligjorë. Pra, sipas saj, nuk shkohet direkt me dënime, obligime apo pagesa të detyrueshme./Alsat.mk.