Analisti Shemsi Jashari ka propozuar emrin e Arianit Shehu si kandidat potencial për President të Kosovës, duke theksuar nevojën për një figurë konsensuale dhe unifikuese në një periudhë të krizës institucionale dhe paqartësive politike në vend.
Sipas Jasharit, Kosova po përballet me sfida të vazhdueshme politike dhe në procesin e integrimeve euroatlantike, duke e bërë të domosdoshëm, siç tha ai, një lidership të pjekur që tejkalon ndarjet partiake.
Ai vlerëson se Shehu përfaqëson një profil me përvojë të gjatë në politikën ndërkombëtare, siguri dhe qeverisje, duke theksuar angazhimin e tij në bashkëpunim me administrata amerikane ndër vite, si dhe institucione ndërkombëtare.
Në propozimin e tij, Jashari thekson edhe përvojën e Shehut në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në fushën e sigurisë globale, duke e cilësuar si një figurë që mund të kontribuojë në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e raportit me partnerët ndërkombëtarë.
Ai thekso se Kosova ka nevojë për një President që nuk vjen nga polarizimi politik, por që shërben si faktor uniteti dhe stabiliteti institucional.
“Debati për figura të tilla nuk është luks, por domosdoshmëri”, ka theksuar Jashari, duke i bërë thirrje spektrit politik që të tregojë vullnet për konsensus.