Gazetari i El Chiringuito TV, Juanfe Sanz, e ka akuzuar sulmuesin Vinicius Junior se ka shkaktuar përçarje brenda ekipit dhe ka kërkuar që Real Madridi ta shesë brazilianin.
Real Madridi siguroi një fitore 2-1 në shtëpi ndaj Alaves, megjithatë në fillim të ndeshjes së javës së 33-të, tifozët në “Bernabeu” fishkëllyen si Viniciusin, ashtu edhe Kylian Mbappe.
Më pas, braziliani shënoi golin e fitores, bëri një gjest kërkim-faljeje ndaj tifozëve dhe puthi stemën e klubit.
“Jam plotësisht i bindur se vendimi më i mirë për Real Madridin është ta shesë këtë lojtar. Sepse ditën e ndeshjes kundër Barcelonës (nën drejtimin e Xabi Alonsos), ai krijoi një përçarje të brendshme në dhomën e zhveshjes, mori pushtetin dhe askush nuk e ndali”, deklaroi Sanz.
“Mesazhi i sotëm është mënyra e tij për të pranuar gabimet, por unë besoj se i ka shteruar të gjitha shanset”.
“Real Madridi e mbajti në ekip për shkak të paraqitjeve të forta; ky ishte çmimi që klubi pagoi për sjelljen e tij”.
“Kur luante mirë, disa veprime i faleshin, por kur gjërat shkuan keq, mendoj se pesha u zhvendos drejt një sjelljeje shumë më negative”.
“Besoj se, në dritën e këtyre sezoneve të dështuara, nevojiten masa vendimtare”, përfundoi Sanz./Telegrafi/