Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fatos Geci, ka bërë një deklaratë të rëndër ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës kushtuar çështjes së energjisë, duke devijuar nga tema e rendit të ditës.
Deputeti u shpreh duke përshëndetur, siç tha ai, “vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit” dhe shtoi se ata që shpresojnë në lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “do të kenë të njëjtin fat”, duke aluduar për Hashim Thaçin.
“Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju që shpresoni se një ditë lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, u shpreh ai.
Deklaratat e tij kanë nxitur reagime në sallë, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, kanë theksuar më pas se qëndrimet e deputetit nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të subjektit politik.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ashpër duke kërkuar nga LVV-ja të distancohet.
“S’po di qysh me të thanë se me të thanë deputet, nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë që nga foltorja e Kvendit të Kosovës vjen një lutje në vend të urimit për burgim të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për liri të këtij vendi. Duhet të ju vijë turp”.
Ky deputet ka qenë edhe më herët në qendër të vëmendjes për deklarata kundër luftës së UÇK-së, përfshirë edhe mospërkrahjen e rezolutës për mbrojtjen e saj në Kuvend.