Një burrë kaloi tetë vite me një shkop metalik për ngrënie (chopstick) të ngecur në fyt.
Shumica e njerëzve nuk do të mund të duronin as disa minuta me një shufër metalike 12-centimetërshe të bllokuar në fyt, por një burrë në Kinë arriti të jetonte kështu për plot tetë vjet, para se mjekët më në fund ta hiqnin me sukses.
Kinezi 46-vjeçari i identifikuar si Wang, u paraqit së fundmi në Spitalin Qendror të Dalianit në provincën Liaoning, duke u ankuar për dhimbje të forta në fyt dhe ndjesinë e një objekti të huaj.
Pas ekzaminimeve me rreze X, mjekët u habitën kur zbuluan një shufër rreth 12 centimetra të ngulur në fytin e pacientit. Kur e pyetën nëse e dinte për këtë, ai tha me qetësi se ishte një shkop metalik që e kishte gëlltitur aksidentalisht tetë vjet më parë, shkruan odditycentral.
Tetë vite më parë, Wang kishte gëlltitur aksidentalisht një chopstick metalik gjatë një vakti. Ai nuk tregoi saktësisht si ndodhi, por një raport nga spitali përmend se ai kishte pasur probleme me alkoolin. Edhe pse në fillim kishte ndjerë dhimbje dhe ndjesi mbytjeje në fyt, ai nuk kishte probleme me frymëmarrjen.
Fillimisht në spital iu dha trajtim i thjeshtë për të lehtësuar shqetësimin, por u pa se për heqjen e objektit ishte e nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale me prerje në qafë. Nga frika e operacionit, pacienti vendosi të mos e bënte dhe vazhdoi të jetonte me shkopin e ngecur në fyt.
Për vite me radhë ai e përballoi shqetësimin e rastit si të durueshëm dhe nuk kërkoi trajtim, derisa dhimbja u përkeqësua dhe e detyroi të kthehej në spital. Mjekët më pas arritën ta hiqnin objektin me një procedurë minimale invazive përmes gojës, pa pasur nevojë për prerje në qafë.
Rasti i pazakontë ka tërhequr vëmendje të madhe në internet për shkak të historisë së jashtëzakonshme dhe kohës së gjatë që objekti ka qëndruar në trupin e pacientit. /Telegrafi/