Lancia po ul kostot dhe po zgjeron ofertën e modelit Ypsilon me një variant të ri bazë, i cili shmang elektrifikimin në favor të një motori tradicional me djegie të brendshme të kombinuar me marsh manual. Modeli i ri Ypsilon Turbo 100 është i disponueshëm në Itali si oferta më e përballueshme e markës.
Ndërsa kërkesa për hibride po rritet, Lancia thotë se ky variant i ri është përgjigje ndaj reagimeve të drejtpërdrejta të klientëve dhe analizës së tregut italian. Sipas kompanisë, shumë shoferë ende pëlqejnë përdorimin e marshit manual, njësoj si ata që “zgjedhin të dëgjojnë disqe, të shkruajnë me dorë apo të bëjnë kafe”.
Ypsilon Turbo 100 ndjek të njëjtën formulë si shumë modele të tjera të grupit Stellantis, si Peugeot 208, Opel Corsa dhe Fiat Grande Panda. Nën kapak ndodhet motori i njohur 1.2 litra me tre cilindra dhe turbo, pa sistem hibrid të lehtë, i cili zhvillon 100 kuaj/fuqi dhe 205 Nm çift rrotullues.
Fuqia transmetohet në rrotat e përparme përmes një kambio manuale me 6 marshe, gjë që është hera e parë për Lancia në epokën e re. Sa i përket performancës, përshpejtimi nga 0 në 100 km/h bëhet për 10.2 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale arrin 194 km/h.
Ndërsa pjesa e jashtme e Turbo 100 ngjan me versionin hibrid të lehtë, në kabinë ka ndryshime të rëndësishme. Përveç tre pedalëve, mungon konzola karakteristike “me tavolinë kafeje” për shkak të levës së marshit.
Turbo 100 ofrohet në tre nivele pajisjeje: bazë Ypsilon, LX me specifikime më të larta dhe versioni sportiv HF Line me “bodykit” unik. Edhe versioni bazë vjen i pajisur mirë, me dy ekrane 10.25 inç, klimë automatike, USB-C, drita LED, sensorë parkimi të pasmë dhe paketë bazë ADAS.
Avantazhi kryesor i kësaj variante është çmimi: të gjitha versionet Turbo 100 janë rreth 3000 euro më të lira se versionet hibride me kambio automatike. Çmimet standarde fillojnë nga 22200 euro për versionin bazë dhe 25,200 euro për LX dhe HF Line.
Megjithatë, Stellantis thotë se me financim të plotë, çmimi fillestar mund të ulet deri në 15950 euro, me këst mujor prej 99 eurosh. Kjo e vendos modelin në nivelin e gjeneratës së mëparshme të vitit 2023, pavarësisht motorit më të fuqishëm dhe teknologjisë më moderne. /Telegrafi/